Paralajmëron Basha: Po përgatitet kurbani i radhës për aferën e incineratorëve, SPAK të veprojë

Pas arrestimit të ish- ministrit të mjedisit Lefter Koka kryetari i PD mendon se Edi Rama po përgatit kurbanin e radhës për aferën korruptive të incineratorëve. 

Për këtë arsye Lulzim  Basha në një dalje për mediat nga selia blu i kërkoi Prokurorisë së Posaçme që të reagoi me urgjencë për arrestimin e personave përgjegjës duke mos i lënë kohë Kryeministrit për të bërë manovra politike.

“SPAK duhet të përdorë të gjithë instrumentet e ligjit, në mënyrë që asnjë qindarkë më shumë mos t’ju paguhet këtyre grupeve kriminale. I kërkoj të veprojnë sot me arrestimin e përgjegjëse  nuk mjafton arrestimi bisht, nuk mjafton shpallja në kërkim ndërkombëtar e Stela Gugalljës dhe Klodian Zotos. SPAK-ut i bëj thirrje që të mos presë  që Edi Rama të shkarkojë Ministrinë e radhës dhe pastaj ta arrestojë. E qartë është se kurbani i radhës  për këtë aferë po bëhet gati,me shpresën që të shpëtojë koka e kësaj afere.”

PD akuzon qeverinë se ka vjedhur para nga xhepat e shqiptarëve për të paguar klientët e tyre për incineratorë që nuk funksionojnë.

“430 milionë euro për incineratorë që nuk ekzistojnë, për mbetje që groposen dhe për punime që nuk kanë nisur por ndërkohë që paratë janë paguar. A ka shqiptarë ta besojë se kjo mund të ndodh pa përfshirjen të drejtpërdrejt të Edi Ramës.”

Nën ethet e garës së 6 marsit Lulzim Basha ka përfshirë në këtë skandal edhe kryetaren aktuale dhe kandidaten socialiste për Bashkinë e Durrësit Emirjana Sako.

“Kandidatja aktuale për Bashkinë e Durrësit për PS Emirjana Sako, ka firmosur për 10 milionë euro dhuratë kompanisë së incineratorëve në Tiranë. Tender që i jepet drejtpërdrejt kompanisë që ka marrë 430 milionë euro.”

Pasi kanë parë nga afër incineratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, komisioni hetimor i kryesuar nga demokratja Jorida Tabaku, pritet të nisë marrjen e tre kryebashkiakëve, kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës.