Investimi për ujë shkatërroi rrugë, punimet për ujësjellësin “zhytën” në baltë fshatit Spiten në Lezhë
Investimi për Ujësjellësin e ri la pa rrugë fshatin Spiten në Lezhë pas firma që kreu punimet nuk i riparoi dëmtimet. Banorët fajësojnë bashkinë e Lezhës që sipas tyre duhet të kërkojë zbatimin e kontratës, ndërsa zyrtarët vendorë thonë se nuk do të marrin në dorëzim projektin nësë rruga nuk riparohet.
Kjo është gjendja e rrugës së fshatit Spiten në Njesisë Administrative të Zejmenit në Lezhë.
Segmenti me gjatësi rreth 1 km që i lidh me aksin nacional Lezhë-Milot është bërë thuajse i pakalueshëm pasi u dëmtua gjatë punimeve për Ujësjellësin e ri në këtë zonë.
"Duhet me marrë në qese këpucët e mira me i vesh kur të dalim prej baltës."
Kjo situatë vijon prej më shumë se 2 muajsh, pasi firma zbatuese e këtij projekti nuk e ka kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme siç është parashikuar në kontratë.
"Që prej Krishtlindjeve nuk kanë hyrë makina".
"Hajde na e rregullo si ka qenë të paktën, nuk po kërkojmë asfalt. Nuk kalohet, i kemi makinat në rrugë të madhe."
Banorët fajësojnë pushtetin vendor.
"Thonë do flasim, asgjë deri tani. Na kanë lënë si mos me pas jetë fare në këtë zonë."
E kontaktuar për këtë çështje bashkia e Lezhës bëjnë me dije Ujësjellësi i Ri nuk do të merret në dorëzim pa u zbatuar siç është parashikuar projekti, përfshirë dhe rehabilitimin e rrugëve që janë dëmtuar.
