‘Fantazma e Erdoganit’ Mediet greke: Presidenti turk provokoi me vizitën në Shqipëri
Gazeta prestigjioze greke ‘I Kathimerini’ nuk e ka harruar ende vizitën e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan në 17 janar të këtij viti.
Në titullin e artikullit shkruhet ‘Erdogani dhe fantazma e Skënderbeut’, e cila i referohet vizitës së kreut të shtetit turk në ditën e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në 17 janar 1468.
Gazeta pro qeveritare shkruan se kryeministri Rama e priti mikun e tij turk me të gjitha nderimet, por munguan emocionet e dikurshme të vizitave të Erdogan.
Vizita e Erdogan shkruan ‘I Kathimerini’ u pa si provokim, duke ndarë në dysh politikën shqiptare, por edhe popullin e thjeshtë.
Ndërsa Erdogan ishte në Laç për shtëpitë e tërmetit, presidenti Meta bëri homazhe te monumenti i Skënderbeut në Lezhë shkruan e përditshmja greke.
Në fokusin e prestigjiozes helene ishte edhe statuja e heroit tonë kombëtar në sheshin ‘Skënderbej’ që zakonisht mbulohej nga komuniteti mysliman, për shkak të luftës së kryer nga ai kundër Perandorisë Osmane.
Në artikull nuk mungojnë as detajet e marrëdhënieve të Erdogan me organizatën FETO, apo edhe me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për të cilën thonë se e kundërshtuan inaugurimin e xhamisë së Etem Beut.
Artikulli i plotë i ‘I Kathimerini’ i botuar të hënën në 31 janar mbyllet më këtë paragraf.
"Shqiptarët mund të duan paratë e Erdoganit, por e vërejnë që ai po fyen krenarinë e tyre kombëtare duke imponuar besimin e tij fetar. Ende nuk është parë ndonjë shqiptar që të dojë të ëndërrojë të jetojë në një republikë islamike të stilit Erdoganesk, që presidenti turk kërkon të promovojë në Shqipëri dhe pjesën tjetër të Ballkanit. Përse Edi Rama po kërkon ta çojë vendin e tij në Turqinë e Erdoganit? Pyetja është e hapur për interpretim."