Tensionet Rusi-Ukrainë në Këshillin e Sigurisë, të martën bisedë telefonike mes Blinkenit dhe Lavrovit

Krerët e zgjidhjes së tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës i ka marrë diplomacia e lartë. Pas takimeve të dy kryediplomatëve rus dhe amerikan, tashmë çështja ka vajtur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të gjithë lojtarët kryesorë pritet ta kundërshtojnë publikisht mundësinë e një pushtimi rus në Ukrainë në takimin e kësaj të hëne. Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me tenisonet ruso – ukrainase dhe grumbullimin e mbi 100 mijë trupave ruse në kufi me fqinjin.

Mbledhja erdhi me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa më herët NATO ka deklaruar se nuk dërgon trupa në Ukrainë, kurse kryediplomati Lavrov se Rusia nuk do që të bëjë luftë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se veprimet e Rusisë përbëjnë "një kërcënim të qartë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së".

Anëtarët e Këshillit "duhet të shqyrtojnë plotësisht faktet dhe të marrin në konsideratë se çfarë është në rrezik për Ukrainën, për Rusinë, për Evropën dhe për detyrimet e parimet thelbësore të rendit ndërkombëtar nëse Rusia pushton Ukrainën," tha diplomatja amerikane.

Rusët u përgjigjën me anë të zëvendës ambasadorit Dmitry Polyansky. “Nuk më kujtohet një rast tjetër kur një anëtar i Këshilli i Sigurisë propozoi të diskutonte pretendimet dhe supozimet e veta të pabaza si një kërcënim për rendin ndërkombëtar nga dikush tjetër. Shpresojmë që anëtarët e tjerë të nuk do ta mbështesin këtë marifet të turpshëm për reputacionin e Këshillit të Sigurimit.” – shkroi diplomati rus.

Për amerikanët është diplomacia ajo që duhet të parandalojë luftën, dhe, sipas tyre, kjo diplomaci parandaluese është pikërisht ajo që supozohet të bëjë Këshilli i Sigurimit.

Kinezët, një aktor me peshë të madhe në Këshill, thanë se të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të vazhduar negociatat e tyre dhe le t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut, përmes negociatave. Ata mbajtën anën e Rusisë kur thanë se Këshilli i Sigurimit duhet "të ndihmojë në uljen e tensioneve, jo t'i hedh benzinë ​​zjarrit".

Mediet ruse kanë njoftuar ndërkaq për një telefonatë mes kryediplomatit rus Lavrov dhe atij Blinken sa i përket situatës së tensionuar.

Për të ulur tensionet në Ukrainë, Rusia ka kërkuar garanci nga NATO se nuk do ta anëtarësojë Ukrainën në aleancën veriatlantike si dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore. NATO dhe SHBA thanë ndërkaq se këto kërkesa janë të pamundura.