Kush e vendosi tritolin në banesën Dukës? Kamerat e sigurisë prova e vetme e Arlen Hasanaj
I riu i arrestuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të FSHF Armand Duka ka paraqitur video dhe alibi sipas të cilave ka qenë rrugës për në Durrës në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Gjykata vendosi shtyrjen e masës së sigurisë për të shtunën për ti lënë kohë ekspertëve të shqyrtojnë pamjet filmike të paraqitura si prova të reja.
Provat e reja filmike detyruan gjykatën e Durrësit të shtyjë për të shtunën seancën e masës së sigurisë ndaj 34-vjeçarit Arlen Hasanaj, i arrestuar për vendosjen e tritolit në portën e banesës së presidentit të FSHF Armand Duka.
Bazuar edhe në pamjet e kamerave të Sigurisë Ora News ka përshkruar intenerarin e ndjekur nga Arlen Hasanaj në kohën kur ndodhi shpërthimi.
Rreth orës 21:35 minuta ai është parë nga kamerat që futet në një qendër tregtare në autostradën Tiranë-Durrës, e ndërsa në orën 21:40 ka lëvizur në drejtim të kasës për të bërë pagesën
Hasanaj pasi ka dalë nga qendra tregtare është nisur për në qytetin e Durrësit. Në këto kamera sigurisë të fiksuara shikohet se në orën 22:02 shikohet makina tip Benz ML që drejtohet nga Arlen Hasanaj i cili futet në drejtim të lagjes 4 në të cilën ndodhet edhe banesa e tij.
Sipas policisë por edhe pamjeve filmike shpërthimi në banesën e Armando dukës ka ndodhur në orën 22.04.
Avokati mbrojtës thotë se nga banesa e klientit te tij Hasanaj deri tek vendi i ngjarjes llogaritet një distancë 2 km në vijë ajrore.
Një tjetër kamer sigurie ka pikasur se 34-vjeçari Arlen Hasanaj ka lëvizur në orën 22:05 pra pas një minutë nga shpërthimi pranë disa qendrave tregtare që ndodhen pranë lagjes nr.4 ku edhe ndodhi shpërthimi.
Siç mund të shihet në video, personi në fjalë i veshur me xhup po vrapon për në drejtim të stacionit të trenit.
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar për 34-vjeçarin masën e arrestit në burg e ndërsa do të jetë eksperti që është caktuar nga gjykata ai që do të verifikojë nëse pretendimet e autorit të dyshuar dhe avokatit janë të vërteta.
Një prej provave që pritet të përcaktojë edhe ecurinë e çështjes është një plagë në dorën e të riut, por edhe analiza nëse ai ka pasur faktorë plotësues të ndezjes së fitilit të bombës në rroba dhe në gjymtyrë.

