Negociatat Bullgari-Maqedoni, Kovaçevski: Kushtetuta do të hapet në rrugën drejt BE-së

Shkupi i jep garanci para Sofjes për ndryshimet kushtetuese në mënyrë që të përfshihen edhe bullgarët, çështje kjo që pezulloi negociatat e anëtarësimit në BE. Kryeministri Kovaçevski tha se bashkësitë kanë të drejtë të kërkojnë të jenë pjesë e Kushtetutës, për të cilën nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend.

Në Sofje u zhvillua mbledhja e përbashkët e qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë. Kryeministrat e të dy vendeve Kovaçevski dhe Petkov, folën për rezultate konkrete nga pesë grupet e punës që u formuan këtë të martë.

Kovaçevski gjithashtu tha se Maqedonia është e gatshme t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë, çështje kjo që mban pezull negociatat për anëtarsim të vendit në BE për shkak të vetos së Bullgarisë.  Sipas Kovaçevskit të gjitha detajet për çështjet e hapura politike do të shqyrtohen nga Ministritë e Jashtme të dyja vendeve, proces ky që do të këkrojë kohën e vet.

Dimitar Kovaçevski: Është normale që një gjë e tillë të ndodhë, në rrugën e një vendi për në Bashkimin Evropian, sepse atëherë hapet Kushtetuta, që të bëhen përshtatje të tjera të Kushtetutës. Përmes këtij procesi me siguri do të mbulohen ato çështje, bazuar në kërkesat e qytetarëve.

Edhe Kiril Petkov ,kryeministër i Bullgarisë shprehu gatishmërinë për dialog.

Kiril Petkov: Ekspertet nga të dyja vendet kanë treguar se janë gati, që kjo valë e re e energjisë shtesë të kalojë në një ton konstruktiv dhe bisedë konstruktive, dhe në këtë moment nuk do të bëjmë ndryshime të kuadrove.

Paralelisht me mbledhjet e përbashkëta të qeverisë së Shkupit dhe Sofjes, presidenti bullgar Rumen Radev  tha se po e ndjek me vëmendje debatin në Maqedoninë e Veriut dhe rritjen e bindjes që bullgarët të jenë në Kushtetutën e këtij vendi.