SHBA urdhëron familjet e stafit të ambasadës të largohen nga Ukraina
Familjet e diplomatëve amerikanë të vendosur në Kiev janë urdhëruar të largohen nga Ukraina të dielën, 23 janar "për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të një operacioni ushtarak rus".
Departamenti i Shtetit ka dhënë gjithashtu leje për largimin e stafit jothelbësor, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të konsiderojnë largimin nga vendi.
Në deklaratë thuhet se ka raporte se Rusia po planifikon një operacion të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës.
Ndërkohë Rusia mohon pretendimet se po planifikon të pushtojë Ukrainën.
Departamenti i Shtetit Amerikan paralajmëroi gjithashtu qytetarët e saj të evitojnë udhëtimet në Ukrainë dhe Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm.
"Ka raportime se Rusia po planifikon operacione të rëndësishme ushtarake kundër Ukrainës," shkruhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
"Lëvizja e SHBA-së është pjesë e një sërë masash paraprake që Departamenti i Shtetit përdor kur krizat mund të vënë në rrezik diplomatët amerikanë", citon BBC.
Kreu i aleancës së mbrojtjes ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë, pasi rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufi.

