Kokainë e heroinë, Gjermania arreston tregtarët e drogës, pjesë e një grupi nga Ballkani

Dhjetë prona në rrethet Giessen dhe Marburg u kontrolluan dhe u sekuestruan pasuri prej rreth 350,000 euro. Gjatë kontrolleve, hetuesit kanë siguruar edhe një Ferrari “488 Spider” dhe 36 mijë euro cash.

Ai ishte në listën e kërkuar të Europolit për krim të organizuar. Një 45-vjeçar i dyshuar  për trafik ndërkombëtar u kap gjatë një bastisjeje në Giessen dhe Marburg

Janë lëshuar gjithsej katër urdhër-arreste.

Në qendër të hetimit është 45-vjeçari, i cili mësohet se ka organizuar importin e më shumë se dhjetë kilogramëve heroinë dhe transportin e të paktën 45 kilogramëve kokainë. 

Sipas hetuesve, i dyshuari kryesor 45-vjeçar ka nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe kroate.

Në listën e Europolit

Ai thuhet se ka përdorur kontaktet e tij me "mbështetës të rangut të lartë të një grupi kryesisht aktiv në Ballkan" për trafikun e drogës. Ai ishte gjithashtu në listën e Europol si një nga njerëzit e rëndësishëm të krimit të organizuar.

45-vjeçari thuhet se ka përdorur kontaktet e tij kriminale jashtë vendit për të garantuar rregullisht dërgesat e heroinës nga Holanda në Gjermani, tha prokurori publik. 

Droga mësohet se ishte kontrabanduar përtej kufirit me korrierë në makina dhe në një rast në një shtëpi të lëvizshme dhe rishitej në Gjermani. Përveç kësaj, i dyshuari kryesor thuhet se ka ndihmuar në organizimin e transporteve të ndryshme të kokainës në vende të tjera evropiane.

I dyshuari i tretë tashmë po vuan dënimin

Sipas hetuesve, ai mësohet se mbështetej nga dy persona, një 44 vjeçar dhe 62 vjeçar në biznesin e drogës. Forcat speciale kishin arrestuar dy nga tre të dyshuarit e kërkuar me urdhër arresti në shtëpitë e tyre në Giessen dhe Marburg.

Sipas informacioneve, i dyshuari 62-vjeçar tashmë vuan dënimin me disa vite burg për shkelje të rënda të Ligjit për Narkotikët për një tjetër rast.

Policia sekuestron Ferrarin

Urdhër arresti i katërt drejtohet kundër një 47-vjeçari nga rrethi Vogelsberg. Prokuroria publike ka bërë të ditur se gjatë kontrollit i  janë gjetur një kilogram heroinë dhe pesë kilogramë drogë fentanil. Të katër të dyshuarit ndodhen në burg.

Në kërkime dhe arrestime u përfshinë gjithsej 135 policë dhe prokurorë. Policia sekuestroi një Ferrari dhe 36 mijë euro para të gatshme. Sipas prokurorisë publike, hetuesit kanë rënë në gjurmët e rrjetit të trafikantëve të drogës duke vlerësuar përmbajtjen e mesazheve mes tyre.

Kokainë e heroinë, Gjermania arreston tregtarët e drogës,