Berisha mesazh Escobar: Ata që mendojnë se po më dëmtojnë mua duke mbështetur Bashën nuk i bëjnë llogaritë mirë

Ish kryeministri Sali Berisha ka një mesazh për zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 

Ai i kërkon të rishqyrtojë qëndrimin dhe të mos mbështesin Bashën që e quan kufomë politike.

“Duhet të rishqyrtohet, se të mbështesësh Lulzim Bashën jo vetëm mbështet një kufomë politike. Të mbështetës Bashën është përçmim e shkelmim mbi politikanët e rinj shqiptarë. Të mbështetës Bashën nuk lufton Sali Berishën. Ata që mendojnë se po më dëmtojnë mua duke mbështetur Bashën nuk i bëjnë llogaritë mire. Eshtë njeriu më i degraduar në politikën shqiptare” tha Berisha duke reaguar lidhur me deklaratat e Escobar bërë dje në një intervistë për Zërin e Amerikës. 

Madje Berisha i kërkon SHBA ta hetojnë

“Është problem i madh për gjenerat e reja mbështetja e tij. Ai është simbol i të pabesit dhe i të lidhurit me krimin. I përzier në afera korruptive shumë të rënda të njohura dhe në vendin e Escobar. I bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve partnere ta hetojnë minimum për larje parash se minimum Edi Rama ia mbylli dosjen e larjes së parave në Shqipëri" tha Berisha pasi doli nga prokuroria ku ishte thirrur për tu marrë në dëshmi lidhur me protestën dhe përplasjet e ndodhura më 8 janar 2022.

Berisha njoftoi dhe fillimin e një turi takimesh të cilat i quajti si parapërgatije për protesta masive. Turi do të nisë në Shkodër të dielën në ora 11:00 në Pallatin e Sportit.

"Revolucioni nuk ndalet selia do u kthehet demokratëve. Nuk ka forcë në botë që ua merr dot selinë demokratëve dhe ta kthjejnë në kulla” tha Berisha. Ndërkohë në prokurori vijon dëshminë Flamur Noka, ndërsa Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi pritet të dëshmojnë nesër.