“Vajza ime nuk është Eni i pagave, është doktoresh dhe punon në Gjermani” Nëna telefonon në Ora Juaj

Fotoja e specialistes IT të tatimeve, Eni Qirjako, e cila është implikuar në skandalin e publikimit të listës së pagave, që qarkullon në media nuk është e sakta.

Fotoja që qarkullon  në medie është fotoja e një gruaje që ka të njëjtin emër me specialisten e IT.

Personi që shfaqet në foto si specialistja e IT, në fakt është një mjeke psikologe që jeton dhe punon në Gjermani prej 20 vitesh.

Mëngjesin e sotëm, e ëma e mjekes që i ka dalë fotoja gabimisht në lajmin e skandalit të pagave  nëpërmjet një telefonate për emisionin "Ora Juaja" në Ora News ka bërë sërish thirrje që fotoja të hiqet nga të gjitha mediet pasi është gabim.

E ëma e mjekes specialiste: "Unë jam Vasilika Qirjako. Vajza ime është përfshirë në skandalin e pagave me pa të drejtë. Faji i saj i vetëm është që ka emrin Eni Qirjako. Ajo është  fotografia  që ka besuar pranë shtetit për pasaportën që ka bërë.

Të gjitha televizionet, të gjitha portale u lajmëruan urgjentisht ta  heqin këtë fotografi, sepse ajo nuk është Eni i pagave, është vajza ime doktore, punon dhe jeton në  Gjermani, nuk ka asnjë lidhje me Eni Qirjakon e tatimeve.

Emrin le ta ketë sepse e ka emrin Qirjako. Eni Qirjako mund të ketë në të gjithë botën. Mora në telefon numrin e Gjelbër të Tatimeve , vajta dhe në polici, kam bërë ankesë.

Vajza ime nuk punon te tatimet. Vajza ime është doktore, psikologe, jeton jashtë prej 100 vitesh. Këta të tatimeve e dinë shumë mirë që fotoja është gabim."

Katër personat e arrestuar si përgjegjës për publikimin e listës së pagave të 680 mijë shqiptarëve u liruan më 10 janar nga qelia pasi qëndruan vetëm 48 orë në paraburgim.

Gjyqtari Artan Gjermeni ka vendosur masën e detyrim paraqitje për specialisten e IT se tatimeve Eni Qirjako dhe arrest shtëpie për kolegun e saj dhe 2 përmbaruesit privat.

Katër personat që kopjuan dhe shitën databazën e pagave të qytetarëve shqiptarë qëndruan vetëm 48 orë në qeli.

Konkretisht për eksperten e IT të tatimeve Eni Qirjako u vendos masa "detyrim paraqitje" e ndërsa për kolegun e saj Andi Agaraj "arrest shtëpie".

Po ashtu edhe për 2 përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi gjykata vendosi lirimin, duke i lënë në "arrest shtëpie"./Ora News/