Skandali i qeverisë britanike. Laburistë: Johnson, patetik të japë dorëheqjen

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson po përballet me presion dhe kërkesë llogarie nga parlamenti lidhur me pretendimet për shkelje të rregullave të pandemisë në maj të vitit 2020.

Laburistët dhe mediet kanë hedhur dritë mbi një festë që është zhvilluar në selinë e kryeministrisë ndërsa vendi ishte në karantinë të plotë.

Gjatë fjalimit të tij të mërkurën, Johnson shprehu keqardhje dhe kërkoi ndjesë ndaj britanikëve të cilët kanë sakrifikuar gjatë izolimit, ndërsa në kabineti qeveritar organizoheshin festa.

Johnson: Zoti Kryetar, dua të kërkoj falje. E di që miliona njerëz në gjithë vendin kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit. Unë e di ankthin që kanë kaluar, duke mos qenë në gjendje për të mbajtur zi për të afërmit e tyre, në pamundësi për të jetuar jetën e tyre si ata duan, ose të bëjnë gjërat që duan. E di tërbimin që ndiejnë ndaj meje kur mendojnë se në Doëning Street rregullat shkelen nga ata që i bëjnë.

Ndër të tjera Johnson e pranoi nën zë që kishte marrë pjesë në festë, por këmbënguli se e dinte se bëhej fjalë për një drekë pune.

Lideri i laburistëve, Keir Starmer duke folur me ironi për festat në kryeministri i kërkoi Johnson të japë dorëheqjen.

Keir Starmer: Pas muajsh mashtrime e mashtrime e spektakli patetik i një njeriu që ka dalë nga rruga. Ai u mbrojt duke thënë se nuk e kuptoi që ishte në një festë. Është kaq qesharake sa është në fakt ofenduese për publikun britanik. Më në fund ai është detyruar të pranojë atë që të gjithë e dinin. Kur i gjithë vendi ishte i mbyllur, ai po organizonte festa të çmendura në selinë e qeverisë. A do të bëjë tani gjënë e duhur dhe do të japë dorëheqjen?

Kryeministri Johnson do të merret në pyetje për herë të parë lidhur me festën në selinë e qeverisë, ndërsa të hënën u zbulua një e-mail, ku një zyrtar i lartë ftoi rreth 100 kolegë të merrnin pjesë në festë.