Koreja e Veriut nuk ndalet, teston raketën e tretë me tekonoligji të re

I gjithë gadishulli Korean, por edhe më gjerë në Azi, ka një tension të shtuar mbi garën e armatimeve.

Vendi më i izoluar në botë, Korea e Veriut, ka njoftuar testimin e tretë të një rakete të gjeneratës së re, raketë hipersonike.

Media shtetërore koreanoveriore tha se raketa e lëshuar të martën kishte bërë me sukses një manovër përpara se të godiste objektivin e saj në det.

 Ky raportim ka shqetësuar fqinjin e vet jugor, pasi raketat hipersonike mund të shmangin zbulimin nga radarët dhe teknologjia e përmirësuar, thonë analistët, mund të tensionojë gadishullin edhe më shumë.

Vetëm pak vende në botë kanë këtë pajisje të re ushtarake, ndërsa më herët gjashtë vende - përfshirë SHBA-në – bënë një deklaratë të përbashkët duke dënuar testin raketor dhe duke i kërkuar veriut të ndërpresë "veprimet destabilizuese" në rajon.

Ka qenë vetë diktatori Kim Jong që për Vitin e Ri do të zotohej në forcimin më të madh të aftësive mbrojtëse të vendit diktatorial.

Ushtria e Koresë së Jugut fillimisht i nënvlerësoi pretendimet se veriu kishte raketa hipersonike, por më vonë ajo u shpreh se veriu demonstroi "përmirësim" nga testet e mëparshme.

Armët hipersonike janë teknologji e re ushtarake që mund të godasin më shpejt një objektiv dhe t’i shmangen radarëve.

Ato fluturojnë me shpejtësi pesë here më e lartë se ajo e zërit. Shqetësimi i aleatëve amerikanë është se këto raketa të diktatorit Kim mund të bartin mbushje bërthamore që destabilizojnë rajonin dhe më gjerë.