Në 18 janar ‘hiqet’ vetoja ndaj Shkupit? Kryeministri bullgar: Fqinjësia e mirë, parim themelor
Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov ka mbajtur fjalën e tij në seancën e parë parlamentare për këtë vit.
Petkov është fokusuar te marrëdhëniet e Sofjes me Maqedoninë e Veriut dhe ka dhënë detaje lidhur me vizitën e tij në 18 janar në Shkup.
Kryeministri bullgar tha se fqinjësia e mirë do të jetë parimi themelor i marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Pozicioni i Bullgarisë për procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut është ruajtur, ne do e përmirësojmë atë pesë komisione. Në 18 janar do të konfirmojmë se fqinjësia e mirë është një parim themelor në marrëdhëniet tona."
Petkov, nga foltorja e parlamentit kritikoi edhe ish-ministren e Jashtme Bullgare, Ekaterina Zaharieva se përse dikasteri i saj nuk mundësoi një lidhje infrastrukturore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
"Nuk e kuptoj pse në vitin 2021 nuk patëm një linjë ajrore direkte Sofje-Shkup, një linjë treni, një kalendar të përbashkët kulturor, apo një ndërveprim mes bizneseve tona."
Petkov u tha deputetëve të opozitës se Këshilli i Ministrave është i vendosur për të rivendosur marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe kjo do të ndodhë që në 18 janar.
Viti 2022 mund të jetë edhe periudha që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që kjo e fundit të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare dhe të vijojë me negociatat për anëtarësim në BE.
Rruga e suksesshme e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian favorizon edhe Shqipërinë pasi Tirana dhe Shkupi janë bashkë në procesin e integrimit.

