Elbasan/ Sekuestrohet arsenali i armëve në Peqin, tre të arrestuar, pistoletat e përdorura në ngjarje kriminale
Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 2022”, në Peqin.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë, S. D., 21 vjeç, A. Ç., 43 vjeç, M. D., 20 vjeç si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. T., 20 vjeç.
Mësohet se janë sekuestruar arsenal armësh, municion luftarak, granatë difensive, thikë, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti “Opel Frontera” dhe 1 aparat celular.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bazë të informacioneve operative të grumbulluara, pas ndjekjes me metoda proaktive, në lagjen ”Xhami” të qytetitit të Peqinit, në një magazinë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e një arsenali armësh, konkretisht një kallashnikov, dy pistoleta, një armë gjahu shotgun, një thkë, një bajonetë, një grantë difensive, një ndezës, municion luftarak, dy palë targa, një sasi të vogël lënde narkotike dhe fara kanabisi.”- njofton policia.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se armët e zjarrit mund të jenë përdorur në ngjarje kriminale kundër jetës dhe pronës.
Armët e sekuestruara janë dërguar për veprime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Materialet i kaluan për veprimeve të mëtejshme hetimore, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
