Skandali me pagat, një nga blerësit e databazës punoi për një miliarder rus, në "listën e zezë" të Inteligjencës amerikane
Endri Ikonomi, një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin me rrjedhjen e pagave, rezulton të ketë punuar deri së fundmi për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB të cilat Ora News i disponon, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Po sipas të dhënave të QKB-së, Oleg Boyko ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm “Piressa Holding Limited”, një kompani kjo që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet i arrestuari i policisë Endri Ikonomi, i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021.

Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021.

Rusi Oleg Boyko, 57 vjeç, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në ëebfaqen e tij si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare, si dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Ndërkaq, një raport i inteligjencës amerikane e citon 57-vjeçarin si një person “me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë, por edhe me lidhje me krimin e organizuar”.

Për më tepër, inteligjenca amerikane vuri në dukje se, “shtypi moldav ka raportuar se Bojko ishte përfshirë në një operacion të mbështetur nga Kremlini për të ndikuar nga jashtë në zgjedhjet atje”.
Hetimet e mëtejshme në Rumani pretendojnë se Bojko, së bashku me një partner në Letoni, përdorën Maltën si një parajsë fiskale për të operuar në Evropë dhe SHBA, duke fituar shuma të konsiderueshme parash.
Bojko e përshkruan misionin e Finstar si një pararojë në "përdorimin e teknologjisë së thellë dhe shkencës së të dhënave për të siguruar përfshirjen financiare globale".
Skandali i publikimit të të dhënave sensitive të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë tronditi vendin në dhjetor të 2021 dhe ngriti shqetësime për cenim të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.
Policia njoftoi sot se ka arrestuar katër persona, dy prej të cilëve punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy të tjerë punonjës të sektorit privat.
