Një grua në ring/ Boksierja lufton kundër tabuve sociale në Irak
Boksierja irakiane Bushra al-Hajjar hidhet në ring, me doreza të ngritura në lartësinë e syve dhe godet partnerin e saj.
Në qytetin e shenjtë mysliman shiit të Irakut, Najaf, një salle boksi për femra është e pazakontë, por instruktorja 35-vjeçare e boksit po lufton tabutë e rrënjosura thellë.
“Në shtëpi kam një sallë të plotë stërvitore, me dyshekë dhe një çantë grushtimi”, tha nëna e dy fëmijëve, e cila gjithashtu ushtron karate.
Hajjar fitoi medaljen e artë në kategorinë 70 kilogramë në një turne boksi në kryeqytetin Bagdad në dhjetor.
“Familja dhe miqtë e mi janë shumë mbështetës, ata janë shumë të kënaqur me nivelin që kam arritur”, tha ajo, me një shami blu të tërhequr fort mbi flokët e saj.

Presidenti i federatës irakiane të boksit, Ali Taklif pranon se gratë irakiane që merren me këtë sport po shtohen çdo ditë.
"Ka shumë kërkesa nga femrat që duan të bashkohen," tha ai, duke shtuar se Iraku tani ka rreth 20 klube boksi për femra.
Në të kaluarën, Iraku kishte një traditë krenare të grave në sport, veçanërisht në vitet 1970 dhe 1980. Qoftë në basketboll, volejboll apo çiklizëm, ekipet e femrave merrnin pjesë rregullisht në turne rajonal.
Por sanksionet, dekada konflikti dhe forcimi i vlerave sociale konservatore e sollën fundin e kësaj epoke. Vitet e fundit ka pasur një ndryshim, me gratë që merren me një sërë sportesh, duke përfshirë edhe kikboksin.

