Tiranë/ Sekuestrohen 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese, në pranga 1 person

Një person ka rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër është proceduar penalisht pasi tregtonin në mënyrë të paligjshme lëndë piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Policia bën me dije se është arrestuar një 19 vjeçar në Luz të Vogël, të cilit i janë gjetur dhe sekuestruar në makinë 2 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Gjithashtu është proceduar penalisht një 57 vjeçare pasi në magazinën e saj janë gjetur 3 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Si rezultat i kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 19 vjeç, banues në Kavajë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit të territorit, në rrugën "Hamdi Pepa", në magazinën në pronësi të shtetases M. Gj., 57 vjeçe, kanë gjetur 3 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese."- njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë" për veprime të mëtejshme procedurale.