Institucioni i Komisionerëve Publikë nuk ka fond për zbatimin e VKM-së për shpërblimet

Në mbledhjen e datës 20 dhjetor 2021, Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në VKM për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë për shpërblimet e punonjësve.

Por Institucioni i Komisionerëve Publikë bën me dije se nuk ka një fond të plotë lidhur me këto shpërblime, duke pasur në dispozicion vetëm 4% të fondit të nevojshëm për zbatimin e VKM-së.

Kështu, Komisioneri ka vendosur të përjashtohen nga shpërblimi dy Komisionerët Publikë; Këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor, Kancelari dhe dy Drejtorët e drejtorive.

“Sipas pikës 1, të VKM-së, së ndryshuar, publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, punonjësit e Institucionit të Komisionerëve Publikë mund të përfitojnë një shpërblim, masa e të cilit, nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Efektet financiare për këtë shpërblim, sipas VKM-së, përballohen nga fondi për pagat e personelit për institucionet, miratuar në buxhetin e vitit 2021. Referuar këtij përcaktimi në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe pasqyrave të zërave të buxhetit, të rakorduara me Ministrinë e Financave, të cilat janë publike, Institucioni i Komisionerëve Publikë ka në dispozicion një fond të papërdorur në zërin, “shpenzime personeli”, në vlerë 220.572 lekë, afërsisht 4% të fondit të nevojshëm për zbatimin e VKM-së, që do të mundësonte shpërblimin e punonjësve me një pagë mujore.” – thuhet në njoftim.

Nisur nga kjo, mbledhja e Komisionerëve Publikë, ka vendosur të përjashtohen nga shpërblimi dy Komisionerët Publikë; Këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor, Kancelari dhe dy Drejtorët e drejtorive.

Pjesa e mbetur e fondit do t’i shpërndahet punonjësve administrativë; specialistë, arkivistë, sanitarë, magazinier, shofer, mirëmbajtës, në vlerën rreth 13.785 lekë për secilin.