Samiti amerikano-rus në janar, Borrell: Nuk mund të diskutohet për sigurinë evropiane pa ne aty

Europianët kanë kërkuar që të jenë pjesëmarrës në takimin e 12 janarit mes amerikanëve dhe rusëve. Sipas kryediplomatit Borrel, nuk mund të diksutohet arkitektura e sigurisë evropiane në një tavolinë ku nuk janë vetë evropianët.

Amerikanët dhe rusët po bëhen gati për një takim më 12 janar për të disktuar mbi situatën e tensionuar të krijuar në Ukrainë e më gjerë.

Ndërkohë, edhe europianët kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtyre diskutimeve. BE-ja duhet të luajë një rol aktiv në bisedimet e ardhshme SHBA-Rusi mbi shqetësimet e sigurisë rreth Ukrainës, tha kryediplomati i bllokut, Josep Borrell, për mediet gjermane këtë të mërkurë.

 “Nëse Moska, siç është paralajmëruar, dëshiron të bisedojë për arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe garancitë e sigurisë, atëherë kjo nuk është vetëm një çështje që ka të bëjë me Amerikën dhe Rusinë”, tha Josep Borrell. “BE duhet të përfshihet në këto negociata” – tha kryediplomati.

Më herët Moska do të paraqiste një sërë kërkesash sigurie ndaj NATO-s dhe Amerikës të cilat janë cilësuar të papranueshme nga kryediplomati Borrell.

“Kjo është hera e parë që rusët e vendosin agjendën e tyre në tryezë me shkrim, në formën e një traktati të vërtetë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Vetëm fituesit e bëjnë këtë: Të thonë se këto janë kushtet e mia”. Janë “krejtësisht të papranueshme”, vuri në dukje ai.

Amerika dhe Europa i tremben një pushtimi rus të Ukrainës, teksa rusët kanë sjellë rreth 100 mijë trupa në kufi me fqinjin e tyre. Rusia e mohon planin për pushtim, por e ka cilësuar “vijë të kuqe” Ukrainën, nëse NATO bën përpara për ta anëtarësuar në aleancë.