Pesë ditë karantinë për të infektuarit, SHBA përgjysmon kohën e izolimit
Qendra për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA ka përgjysmuar periudhën e karantinës për personat që rezultojnë të infektuar, por nuk shfaqin simptoma. CDC ka rekomanduar që ata të qëndrojnë të izoluar vetëm për 5 ditë, nga 10 ditë që duhej të rrinin më parë.
Shtetet e Bashkuara kanë përgjysmuar kohën e karantinës 10-ditore për personat e infektuar me koronavirus, por që nuk shfaqin simptoma.
Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se izolimi pesëditor duhet të përcillet me pesë ditë tjera të vendosjes së maskës kur personi i infektuar del nga karantina.
Ndonëse rekomandimet e reja nuk janë të detyrueshme, ato respektohen nga bizneset amerikane dhe ligjvënësit amerikanë.
Ndryshimet e reja vijnë pas valës së re të shkaktuar nga varianti Omicron, i cili ka ndikuar në mungesa të stafit të kompanive dhe pengesa në udhëtime.
Rekomandimet e reja u mundësojnë njerëzve të kthehen më shpejt në punë.
CDC ka thënë se ndryshimi bazohet në shkencë, pasi të dhënat kanë treguar se shumica e personave infektohen 1-2 ditë përpara simptomave të para dhe mund ta mbartin virusin edhe për 2-3 ditë më të tjera.
Rekomandimet janë ndryshuar edhe për të pavaksinuarit.
CDC ka rekomanduar karantinën pesë ditore, të pasuar nga 5 ditë tjera të daljes me maskë.
Personat që kanë marrë dozën përforcuese nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen karantinës, edhe nëse kanë qenë në kontakt me një person të infektuar, por duhet ta mbajnë maskën për 10 ditë.

