Pekini "kryqëzon" Elon Musk për satelitët: Rrezikuan jetën e astronautëve kinezë

Pekini zyrtar njësoj si ligjvënësit demokratë amerikanë kanë lëshuar akuza ndaj miliarderit Elon Musk për shkak të një incidenti të pretenduar nga Kina në hapësirë. Pekini thotë se satelitët e Spaxe X kaluan pranë hapësirës kineze duke rrezikuar të përplasen me satelitet e Kinës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian ka hedhur një sërë akuzash ndaj manjatit amerikan Elon Musk, i cili është themeluesi i Space X dhe Teslas.

Pekini pretendon se dy satelitët e Elon Musk kanë kaluar shumë pranë stacionit hapësinor të Kinës, duke rrezikuar jetën e disa astronautëve kinezë.

Zhao Lijan: Në korrik dhe tetor të këtij viti, satelitët Starlink të lëshuar nga Space X bënë dy takime të ngushta me stacionin hapësinor të Kinës. Gjatë kësaj periudhe, astronautët kinezë po kryenin misione në stacionin hapësinor dhe morën masa urgjente për të shmangur përplasjen.

Lijan tha se kishte njoftuar OKB-në për situatën e rrezikshme të parandaluar nga Kina.

Lijan deklaroi më tej, se SHBA po vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe kontradiktore lidhur me hapësirën e jashtme.

Zhao Lijan: SHBA flet për konceptin e të ashtuquajturës sjellje të përgjegjshme në hapësirën e jashtme, por injoron detyrimet e saj sipas traktateve ndërkombëtare, duke shkaktuar probleme serioze dhe kërcënim për jetën e astronautëve. Ky është një rast tipik i standardeve të dyfishta.

Përdoruesit kinezë të internetit gjithashtu e sulmuan Elon Muskun, duke ulur reputacionin e multimiliarderit në një vend si Kina që ka përqafuar makinat elektrikë që ai prodhon Tesla.