Kovaçevski, kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut: Do të zgjidhim çështjet e nxehta

Afro më pak se 1 javë pasi Zoran Zaev dorëzoi dorëheqjen në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, LSDM i ka dhënë mandatin për të qenë kryeministër i ardhshëm kreut të kësaj force politike, Dimitar Kovaçevski. Presidenti i vendit, Pendarovski pritet t’i japë në vijim mandatin për formimin e qeverisë së re, e cila është në koalicion me BDI-në dhe Alternativën.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut, LSDM i ka besuar Dimitar Kovaçevskit mandatin për të qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kovaçevski pritet që të jetë kryeministër i vendit deri më 18 janar.

Presidenti Stevo Pendarovski pritet që në ditët në vijim t’i dorëzojë 47-vjeçarit mandatin për formimin e qeverisë së re.

Qeveria e re do të përballet me disa sfida si trajtimi i krizës energjetike e ekonomike, trajtimi i pandemisë dhe vazhdimi i integrimit evropian dhe negociatave me Bullgarinë.

Pas takimit me LSDM-në, Kovaçevski u shpreh besimplotë se mund t’ia dilte t’i përballonte sfidat e ardhshme.

Kovaçevski u ndal edhe te patriotizmi, duke folur nën zë edhe për mosmarrëveshjet me Bullgarinë.

Kovaçevski: Për ne patriotizmi nuk është fjalë boshe apo shuplakë në fytyrë. Patriotizmi për ne nuk është nacionalizëm, as grindje me fqinjët, as një e shkuar e re që na ofrojnë. Për ne patriotizëm do të thotë të bëjmë diçka për vendin tonë. Të garantojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Të rrisim pagat. Të mbrojmë të njerëzit në nevojë dhe të zgjidhim me guxim problemet më të nxehta në vend.

Përveç LSDM-së dhe BDI-së në formimin e qeverisë së re do të marrë pjesë edhe partia shqiptare ‘Alternativa’ e Afrim Gashit, e cila iu bashkua koalicionit qeverisës.

Kovaçevski ka zgjedhur edhe 4 nënkryetarët e rinj të partisë, duke i zëvendësuar ata të kohës së Zaevit.

Më 12 dhjetor, Dimitar Kovaçevski u zgjodh kryetar i partisë pasi Zoran Zaev dha dorëheqjen si kryetar i LSDM-së për shkak të humbjes katastrofike të zgjedhjeve lokale të 31 tetorit.