‘Negociatat me BE hapen në 2022’ Gashi: Nga mesi i janarit formohet qeveria e re në Maqedoninë

Kreu i partisë shqiptare Alternativa, Afrim Gashi ka shpjeguar arsyen e futjes së partisë së tij në qeverinë e Zaevit dhe për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, si edhe formimin e qeverisë së re pas ardhjes së Kovaçevskit. 

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi ka dhënë një intervistë për Kosova Press, ku ka folur për rolin e partisë së tij në formimin e qeverisë së re dhe për negociatat me Bashkimin Evropian.

Gashi tha se partia e tij tentoi të bëjë një shumicë të re qeveritare nga radhët e opozitës, por pasi nuk ndodhi u ftua nga Zoran Zaevi për ta mbajtur LSDM-në në pushtet edhe pas ikjes së Lëvizjes Besa nga koalicioni qeverisës.

Gashi tha se negociatat me BE-në mund të hapen vitin e ardhshëm.

Kreu i Alternativës tha se qeveria e re pritet të formohet nga mesi i muajit janar.

Kriza politike në Maqedoninë e Veriut filloi pasi Zoran Zaev dha dorëheqjen si kryeministër pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale.

Më pas, partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ftoi të gjitha partitë përveç LSDM-së dhe BDI-së së Ali Ahmetit, për të formuar një shumicë të re qeverisëse e cila do të realizohej nëse deputeti i lëvizjes Besa do të kishte votuar.

Deputeti Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancë.

Partia Alternativa e Afrim Gashit iu bashkua qeverisë, e cila aktualisht ka 64 deputetë.