Djegia e flamujve serb nervozon Vuçiç: “Ballkani i Hapur”, është lufta jonë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër për ngjarjet në protestën e 20 dhjetorit në Tiranë të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Vuçiç ka deklaruar se është e paqytetëruar që të digjen flamujt e të tjerëve, por nga ana tjetër ka pohuar se për nismën "Ballkani i Hapur" Edi Rama ndodhet në një presion të madh. Vuçiç deklaron se "Open Ballkan" është lufta për të pasur të drejtë për një të ardhme sipas dëshirës sonë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në presion. Gjatë një interviste të dhënë për mediet serbe Vuçiç është shprehur se djegia e flamujve të tjerë është akt i paqytetëruar, duke kërkuar që mos ta detyrojnë të flasë se në çfarë presioni gjendet Rama për këtë ndodhi.

Presidenti i Serbisë është shprehur se është e paqytetëruar që të digjen flamujt e të tjerëve, duke shtuar se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të mira. Ndërkohë ai i ka kërkuar gazetarëve që të mos e detyrojnë të tregojë se nën çfarë presioni ndodhet Rama për këtë ngjarje.

Po ashtu, Vuçiç ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” është projekti më i madh i paqes, që Ballkani ka bërë dhe ai beson se Ballkani i Hapur mund të jetë një makinë për rritjen dhe zhvillimin e të gjithë Evropës.

“Ballkani i hapur është lufta jonë për të pasur të drejtë për një të ardhme sipas dëshirës sonë”, ka thënë Vuçiç në një intervistë për televizionin Prva.

Gjatë vizitës së Vuçiç në Tiranë, mbështetësit e Sali Berishës i kanë vënë flakën dhe kanë shkelur me këmbë një flamur të Serbisë, duke bërë thirrje kundër Serbisë dhe kundër nismës së Ballkanit të Hapur.