Elsa Ballauri: Shteti nuk funksionon normalisht, gabimet më të rënda i bën lidershipi
Skandali me publikimin e pagave të shqiptarëve dhe targave të makinave është kthyer në një temë debati prej disa ditësh në vendin tonë.
Elsa Ballauri, drejtore e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, në një intervistë për Ora News, është shprehur se shteti nuk po funksionon siç duhet, ndërsa ka shtuar se Shqipëria është një vend i prirur për të krijuar skandale.
Elsa Ballauri: Shqipëria është e prirur të krijojmë skandale. Ne kemi pasur vite të tëra që me të dhënat personale është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet. Është shkelje e të drejtave të njeriut. Është një shkelje administrative, morale, shkelje politike, ndoshta dhe e qëllimshme. Në Shqipëri çdo gjë mund të përfytyrosh dhe të planifikosh se ndodh, dhe në fakt ndodh.
Daljen e të dhënave, Ballauri e ka konsideruar si abuzim që në administratën shtetërore, ndërsa shton se ajo që ka ndodhur është një shkelje e privatësisë dhe shkelje morale.
Elsa Ballauri: Shqipëria na çudit, na traumatizon, na shokon. Kjo është një abuzim që ndodh në administratën shtetërore, e cila është padyshim një nga problemet më të mëdha që kemi. Nga njëra anë kemi shkelje të privatësisë, dhe nga ana tjetër kemi shumë të dhëna që drejtësia mund të shikojë dhe të punojë. Njerëzit janë të rrezikuar nga hajdutët, nga mashtruesit. Por asaj që duhet t’i mëshojmë më shumë dhe të jemi të kujdesshëm për ta thënë dhe për ta rithënë është se sa abuzitivitet ka nëse ato paga janë të vërteta, dhe nëse ato shpërblime janë të vërteta.
Ajo tha se në vendin tonë duhet të ketë plane afatgjata, dhe jo vetëm plane teorike që thuhen vetëm në zgjedhje, por që nuk realizohen asnjëherë.
Sipas saj vendi ynë ka shumë probleme, ndërsa shton se gabimet më të rënda i bën lidershipi i vendit.
Elsa Ballauri: Ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtyre grupimeve që pabarazia sociale i rëndon dhe së treti duhet të kemi plane afatgjata që unë në Shqipëri nuk i shoh fare. Janë plane që asnjëherë nuk realizohen, janë teorike, bëhen para zgjedhjeve, mashtrojnë njerëzit dhe nuk po shoh një gjë reale që të ketë një vazhdimësi dhe t’i përfshijë të gjithë. Ne kemi shumë probleme të mëdha. Gabime të rënda që janë njerëzore i bën lidershipi.
Ndër të tjera ajo tha se në një shoqëri si e jona çdo gjë mund të jetë rrezik.
Elsa Ballauri: Në një shoqëri si e jona që është shumë e çoroditur çdo gjë mund të jetë rrezik. Në ato institucione përgjegjëse ku ka ndodhur kjo gjë, ato institucione përgjegjëse të paktën të dalin hapur para shoqërisë dhe të jenë të sinqertë.

