Kosovë/ Të hënën protestë kundër kundër kufizimeve të energjisë elektrike

Qytetarët në Kosovë kanë paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar kufizimet e energjisë elektrike. Tubimi do të mbahet ditën e hënë dhe pritet të nisë në orën 13:00 nga objekti i KEDS-t për të vazhduar te ndërtesa e Qeverisë. Rikthimi i reduktimeve vjen për shkak të krizës energjetike, teksa qeveria e Kosovës ka planifikuar masa emergjentë për dy muajt e ardhshëm.

 “Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të na bashkohen në protesta mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të Kosovës. KEDS bashkë me Qeverinë na  kanë kthyer terrin në Kosovë”, thuhet në një njoftim të shpërndrë në rrjetet sociale.

“Reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë.  KEDS-i, distributor kryesor i energjisë elektrike në Kosovë, është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizim 24/7 të gjithë qytetarëve” vijon më tej njfotimi.

Protestuesit kërkojnë energji elektrike 24 orë dhe shkarkimin e Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Kosova aktualisht është duke u përballur me një krizë energjetike, e paprovuar në dhjetë vitet e fundit. Kryeministri Albin Kurti është shprehur qeveria nuk ka mundësi të blejë energji për t’u evituar krizën. Reduktimet u propozuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut - KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Ndërsa deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës kanë fajësuar qeverinë për krizën energjetike. Përfaqësues të PDK-së kanë akuzuar se qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar sa i përket reduktimeve pasi në pjesën veriore të Mitrovicës, komunë me shumicë serbe, nuk ka reduktime.