Gjermania sërish thirrje për të sanksionuar liderin serb të Bosnjës: Të shkarkohet Milorad Dodik

Të martën, përfaqësuesi austriak i Partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të marrë masa që të shkarkojë liderin serb të Bosnje Hercegovinës, Millorad Dodik.

BE të kërcënojë Dodikun me sanksione, për sjelljen e tij antikushtetuese. Bashkimi Evropian duhet t’i ngrijë taksat indirekte të BE-së që i takojnë Republika SRPSKA-s, në mënyrë që të mbështesë institucionet e Bosnjës. Dodik duhet të shkarkohet pasi ai ka shkelur marrëveshjen e Dejtonit.

Edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, e cila u emëruar vetëm 1 javë më parë, Annalena Baerbock pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së ka kërkuar sanksione ndaj Dodikut.

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë është shqetësuese, tha ajo dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja janë të papranueshme.

Të premten në 10 dhjetor, Asambleja e Republika SRPSKA-s miratoi disa hapa që fuqizojnë një nismë për të transferuar disa kompetenca nga institucionet shtetërore, pavarësisht kundërshtimit të Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë shpallur Millorad Dodikun ‘non-grata’, ia kanë bllokuar atij edhe asetet.

Edhe Bashkimi Evropian kërkon ngrirjen e aseteve të 62-vjeçarit, por Hungaria e Sllovenia e kundërshtojnë.

Në luftën e Bosnjës në vitet ‘92-‘95 u vranë mbi 100,000 persona, pasi serbët e Bosnjës, me mbështetjen e ushtrisë jugosllave, tentuan të krijonin territore etnike me qëllim që serbët e Bosnjës t’i bashkoheshin Serbisë.