Pentagoni: Askush s’do mbajë përgjegjësi për 10 jetët e humbura nga sulmi me dron i Amerikës

Ushtria Amerikane tha se asnjë person nuk do të fajësohet për sulmin me dron në Afganistan në 29 gusht të këtij viti, ku mbetën të vrarë 10 civilë afganë.

Sulmi nga SHBA-të ndodhi në ditët e fundit të evakuimit të afganëve, pasi Pentagoni kishte marrë sinjale se militantë të Shtetit Islamik mund të prodhonin trazira.

Pentagoni tha pas ngjarjes se sulmi ishte një gabim tragjik nga ana e tyre, pasi pretendonin që të vrisnin terroristë të Shtetit Islamik, por në fakt vranë 10 civilë afganë të pafajshëm, mes tyre edhe 3 fëmijë.

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësi i Pentagonit, Xhon Kirbi tha se askush nuk do të japë llogari për sulmin, edhe pse gabimi i SHBA-ve ishte tragjik.

"Asnjë nga trupat apo zyrtarët amerikanë nuk do të mbajë përgjegjësi për sulmin me dron në gusht."

Muajin e kaluar, një rishikim i nivelit të lartë mbi sulmin me dron, arriti në përfundimin se nuk kishte nevojë për masa disiplinore, pasi askush nuk kishte shkelur ligjin dhe se nuk kishte prova për sjellje të pahijshme ose neglizhencë nga trupat amerikanë. 

Sulmi i Pentagonit ndodhi disa ditë pas një sulmi vetëvrasës, që la të paktën 170 civilë dhe 13 trupa amerikane të vdekur, jashtë aeroportit të Kabulit.