Probleme nga bora në juglindje të vendit, disa akse të bllokuara, ndërprerje energjie në fshatra

Probleme nga bora në juglindje të vendit, disa akse të bllokuara,
Dardhë, Korçë

Reshjet e dëborës kanë vijuar përgjatë gjithë natës në juglindje të vendit.

Në Dardhë trashësia e dëborës ka shkuar deri në 35 cm ndërsa kalueshmëria e mjeteve mundësohet vetëm me zinxhirë. Sa i përket zonave të tjera si Voskopoja apo Qafa e Qarrit kalueshmëria e mjeteve bëhet pa zinxhirë ndërsa trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15 cm.

Reshjet me intensitet kanë qenë edhe në zonat e larta malore të Pogradecit ku trashësia varion nga 10 deri në 25 cm.

Për pasojë janë krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në Qafë Thanë por aksi nuk është i bllokuar.

Probleme ka në njësitë administrative të Velçanit dhe Dardhasit të cilat  janë pa energji elektrike dhe dëbora në këto zona arrin deri në 20 cm.

Në Velçan është paralizuar lëvizja e mjeteve. Mungesë e energjie  ka edhe në 3 fshatra të njësisë Proptisht, në këtë njësi qarkullimi është i mundur.

Në njësinë Trebinjë dëbora ka arritur në 20 cm dhe ka vështirësi në lëvizje.

Rruga e Dunicës në këtë njësi është bllokuar pasi në një pjesë të segmentit rural ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh.

Një njësinë Dardhas deri në qendër të njësisë mjetet qarkullojnë, ndërsa në fshatrat e sipërm të saj Niçë, Osnat, Dërdushë, Stërkanjë nuk realizohet qarkullim mjetesh si pasojë e borës pra fshatrat aktualisht janë të izoluar. Ndërkohë, mungesë energjie ka në disa fshatra të Devollit , Maliqit dhe Mokrrës.