Pasaportë vaksinimi për të hyrë në bare e restorante? Mjeku: Herët ose vonë do ta vendosë dhe Shqipëria
Arbër Kuçani, kirurg në Vjenë dhe shef i klinikës austriake në Tiranë, mendon se është çështje kohe që pasaporta e vaksinimit të bëhet e detyrueshme në Shqipëri.
Për Rtv Ora ai thotë se pasaporta është një tregues i imunizimit të njerëzve.
Kuçani: Është e pazëvendësueshme. Është vënë një rregull, një standard për momentin europian, qoftë dhe botëror. Njerëzit ndoshta nuk do lëvizin dot nga një kufi në tjetrin. Herët ose vonë do të vendoset dhe këtu në gastronomi apo hoteleri ku dikush të dojë kë ka afër, apo personeli do të dijë kujt i shërben. Pavarësisht se po e shtyn Shqipëria do të vijë patjetër përderisa është në Europë. Pasaporta është e rëndësishme sepse tregon të gjithë ata njerëz që janë të imunizuar për momentin.

Doza e tretë e vaksinimit anti-Covid po implimentohet masivisht dhe diskutimet mes ekspertëve të shëndetësisë janë për një dozë të katërt.
Por mjeku thotë se numri i dozave është krejt i parëndësishëm.
Kuçani: Numërimi i dozave nuk ka rëndësi të veçantë, numri i antikorpeve që ka çdo person është treguesi. Doza e tretë për momentin po na shpëton.
Ndërkaq epidemiologu Taulant Muka thotë se është kundër vaksinimit me detyrim por kujton se vaksinimi mbron nga sëmundshmëria dhe vdekja.
Muka: Personalisht jam kundër vaksinimit me detyrim sakohë është një vaksinë që nuk e ndalon transmetimin e virusit. Vaksinat mbrojnë ndaj sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Imuniteti natyral të jep një mbrojtje.
