Memorandum mirëkuptimi mes Universitetit të Miçiganit dhe Bujqësorit në Kamëz, Rama tregon rolin e profesorëve afganë
Universiteti Bujqësor i ka hapur rrugë bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Miçiganit përmes një memorandumi mirëkuptimi që u nënshkrua në ambjentet e këtij të fundit.
I pranishëm në Miçigan, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi, tha se hapja e universiteteve shqiptare ndaj atyre ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta, do t'u mundësojnë të rinjve studime të nivelit të lartë.
Rama nënvizoi se memorandumi me Universitetin e Miçiganit u ndihmua edhe nga strehimi në Shqipëri i profesorëve të këtij universiteti në Afganistan.
"Ishte një vizitë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e interesit për të krijuar këtë lidhje mes këtij universiteti prestigjioz në SHBA dhe Universitetit tonë të Bujqësisë, por jo vetëm. Kemi firmosur marrëveshje mirëkuptimi dhe presim në fillim të vitit ët ardhshëm të kemi një vizitë puna për të parë si mund të ecim më tej për të krijuar një tjetër mundësi studentëve tanë që të mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe të studiojnë me kushtet dhe mësimdhënien më të lartë si në universitet më të mira të botës. Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes universitetit të Miçiganit dhe profesorëve të këtij universiteti në Afganistan që ne i kemi strehuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi hapur një derë të re me miq e partnerë të rinj që do sjellin në Shqipëri më shumë dije e mundësi për të rinjtë tanë".
Nga ana tjetër Kurt Richter, profesor në Universitetin e Miçiganit, tha se në muajt në vijim një trupë e këtij universiteti do të vizitojë Shqipërinë.
"Nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit. Gjatë muajve në vijim një trupë e Universitetit Miçiganit do të vizitojë universitet tuaja për të vijuar më tej me marrëveshjen".

