Biden shpalos planin e ri anti-Covid: Do ia dalim me variantin Omicron, njësoj siç bëmë me Deltën

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka paraqitur planin e ri anti-Covid në një kohë kur bota është e shqetësuar nga varianti i ri i koronavirusit. Biden tha se masat e reja janë efektive për të përballuar sezonin e dimrit, duke i bërë thirrje popullit amerikan të bashkohen.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden shpalosi planin e përballjes me pandeminë, ndërsa varianti Omicron mund të bëhet më shqetësues gjatë periudhës së dimrit.

Në planin e presidentit Biden përfshihen qindra qendra vaksinimi në dispozicion të familjeve amerikane, miliona doza përforcuese dhe teste falas që mund të bëhen edhe në shtëpi, të cilat do mbulohen nga siguracionet shëndetësore.

"Ne do ta luftojmë variantin Omicron me shkencë dhe shpejtësi, jo me kaos dhe konfuzion".

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Biden, kanë thënë se plani synon të mbajë ekonominë dhe shkollat të hapura.

Biden u shpreh se populli amerikan do i bëjë ballë variantit të ri njësoj siç bëri me variantin Delta.

 "Ne ia kemi dalë me variantin Delta dhe njësoj do të bëjmë edhe me Omicronin, do i bëjmë ballë të gjithë të bashkuar."

Njoftimi i zotit Biden vjen pas rasteve të para të regjistruara me variantin Omicron në Kaliforni dhe Minesota.

Ekspertët amerikanë të shëndetësisë e kanë vënë theksin te testimi dhe mbajtja e maskave si tepër të rëndësishme krahas procesit të vaksinimit.

Nevoja për testim do të bëhet edhe më urgjente nëse do të dilej në përfundimin se vaksinat nuk janë efektive ndaj variantit Omicron.

Presidenti njoftoi edhe rregulla të reja testimi për udhëtarët ndërkombëtarë që hyjnë në SHBA, duke u kërkuar atyre të paraqesin prova të një testi negativ të 24 orëve të fundit.