Java nis me shi, pasditja e të hënës sjell rrëbeshe dhe mini-stuhi ere, në zonat malore borë

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike mbeten  prezent në vendin tonë duke diktuar vranësira dhe shira por pas mesditës priten intervale të shkurtra kthjellimesh në pjesën më të madhe të territorit.

Sipas MeteoAlb, orët e pasdites sjellin zhvillim të vranësirave duke rrezikuar rrebeshe të dendura shiu dhe mini-stuhi të forta ere, në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore do të bien reshje dëbore.

E njëjta situatë e paqëndrueshme atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C deri në 17°C.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det duke arritur shpejtësinë max 50 km/h nga drejtimi Perëndimor-Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 4 ballë.