Administratorja e “Geraldina Sposa”: Në modë fustanet me mëngë dhe dantella
Marcela Lati administratore e “Geraldina Sposa” një ndër sipërmarrjet më të mëdha në vend, përsa i përket eventeve të nusërisë, ishte e ftuar në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” në RTV Ora për të folur rreth fustaneve të nusërisë dhe tendencave më të përdorura nga vajzat në vitet 2021-2022.
Lati u shpreh se vijon të mbetet trend në dasmat shqiptare përdorimi i fustaneve nga vajzat me tantellë dhe me aksesorë.
Më tej Lati theksoi se në katër vitet e fundit shihet si një trend dhe zgjedhja e fustanit me mëngë të gjata në ditën më të rëndësishme të jetës, pra siç është dasma.
“Ka shumë aksesor, që të mbetet fustani minimalist. Vajzat te ne duan një fustan me një tantellë dhe aksesorë. Mangët kanë katër vite që janë një trend tek vendi ynë, dhe janë trend edhe për dasmat në stinën e verës. Gjithashtu edhe fustanet me shpinë të zbuluar janë një trend. Vajzat shqiptare i duan shumë. Gjithashtu është një trend mbajtja e flokëve lëshuar dhe është zbehur kohët e fundit mbajtja e aksesorëve në kokë”, tha Lati.
Gjithashtu një ndër problematikat më të mëdha më të cilat ishte përballur “Geraldina Sposa” sipas Latit gjatë pandemisë ishte dhe komunikimi me vajzat të cilat kishin rezervuar fustanet e nusërisë pranë kësaj sipërmarrje, ku mund të anulohej dasma për shkak të masave anti-Covid.
“Unë pandeminë në fillim e kam përjetuar shumë keq. Kishte klientë që kishin bërë rezervimet dhe ti duhet të jesh aty gjithë kohës për ti qetësuar se gjithçka do të shkojë mirë. Dhe pse nuk e dija sesi shkon situata, flasim për periudhën e pandemisë. Duhej të qëndroja e fortë ashtu si një prind për fëmijën e vete edhe unë ashtu për vajzat që kishin bërë rezervime tek ne”, u shpreh Lati.
Rikujtojmë se Covid-19 në vend, tashmë gati prej dy vitesh ka ndikuar edhe në industrinë e fustaneve të nusërisë. Pasi kemi pasur një rënie të numrit të dasmave dhe shfrenim të stilistëve për të nxjerr modele të reja të fustaneve, dhe pse dëshira për të festuar në këtë ditë të veçantë mbetet ende e madhe.

