Lajçak nesër në Kosovë, përfaqësuesi i BE-së diskuton për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të qëndrojë të enjten në Prishtinë. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se “këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin shpresojmë që do të mbahet gjatë këtij viti”.
Në takimin e fundit i cili u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura. Stano sqaroi se kjo nënkupton edhe respektimin e paktit lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas.
Më 23 nëntor, Qeveria sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.
Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë nisur në vitin 2011 dhe që nga ajo kohë janë arritur një serë marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
