Amerikanët sanksione të reja Rusisë: Mund të përdorë gazin si “armë”
Amerikanët kanë vendosur sanksione të reja ndaj projektit rus për gazsjellësin “Nord Stream 2”. Ata janë të shqetësuar se ky projekt që do të furnizojë me gaz Gjermaniën, mund të përdoret si armë gjeopolitike në duart e Putinit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sanksionet e fundit do të drejtohen ndaj një kompanie transporti të quajtur Transadria dhe anijes së saj Marlin.
Demokratët po ndjekin një rrugë të ndryshme nga ajo e Republikanvëe për këtë rast. Administrata e re Biden po preferon të punojë më nga afër me aleatin kryesor Gjermaninë për të dakordësuar edhe politikat që do të ndiqen për gazsjellësin.
Ka qenë Kongresi amerikan më herët që në një raport të tijin i kërkonte qeverisë që të ndërmerrte veprime kundër këtij gazsjellësi. SHBA, Ukraina dhe disa shtete të BE-së kanë shprehur shqetësimin se Nord Stream 2 do t'i japë Rusisë një ndikim më të madh në politikën rajonale dhe do të përbëjë një rrezik për sigurinë energjetike të Evropës.
Pjesa kryesore e infrastrukturës së gazsjellësit ka përfunduar. Shtrirja e tubacionit nën Detin Baltik ka përfunduar në shtator.
Megjithatë, Rregullatori Gjerman për rrjetin energjetik javën e kaluar pezulloi planet për hapjen e tubacionit pasi vendosi se nuk përmbushen kushtet e përcaktuara nga ligji gjerman.
Gazsjellësi Nord Stream 2 do të transportojë gaz nga Rusia në Gjermani dhe vende të tjera. Ai është në pronësi të gjigantit të gazit të kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, dhe me investime nga disa kompani evropiane.
Tubacioni kalon nëpër Detin Baltik dhe anashkalon Poloninë dhe Ukrainën. Ukraina ka kritikat e saj do të humbasë të ardhurat nëse gazi në Evropë nuk përcillet përmes territorit të saj. Polonia, nga ana tjetër, ka frikë se projekti do të forcojë më tej pozitën tashmë dominuese të Gazpromit në rajon.
Kritikët akuzuan së fundmi Rusinë për ndërprerjen e qëllimshme të furnizimit të saj me gaz në Evropë si një dredhi për të përshpejtuar certifikimin e gazsjellësit nga Gjermania. Moska i ka mohuar akuzat, teksa për rastin e sanksioneve amerikane ka reaguar zëdhënësi Dimitri Peskov.
"Sanksionet ndaj Nord Stream 2 ne i konsiderojmë të paligjshme, të gabuara, veçanërisht në sfondin e përpjekjeve për të zhvilluar dialog konstruktiv”, u tha Peskov gazetarëve.



