Monedha turke në rënie të lirë

Ekonomia turke është duke u përballur me problem të mprehta, teksa monedha e tyre kombëtare, Lira, është duke pësuar një rënie të lirë prej javësh.

Vetëm këtë të martë mediet turke njoftojnë se lira u zhvleftësua me përafërsisht 8 pikë përqindjeje përball euros dhe dollarit. Analistët e financave shkruajnë se ishte mesazhi i presidentit Tajip Erdogan që mbrojti uljen e fundit të normave të larta të interesit që solli këtë godietje për monedhën turke.

Në fjalën e tij, presidenti Erdogan u shpreh i bindur dhe u zotua se do ta fitojë "luftën e tij për pavarësi ekonomike" pavarësisht se ka shumë zëra kritikë ndaj tij për këtë kurs në ekonominë vendase.  

Lira turke ka humbur rreth 40% të vlerës së saj këtë vit, duke përfshirë një rënie gati 20% që nga fillimi i javës së kaluar.

Presidenti Erdogan ka kërkuar nga Banka Qendrore turke që të mbajë norma të ulëta inflacioni , me synimin, sipas tij që të nxisë eksportet, investimet dhe hapjen e vendeve të punës.

Por deri më tani është parë një rritje e inflacionit dhe zhvlerësimi i përshpejtuar i monedhës.

Ish-zëvendës guvernatori i bankës qendrore Semih Tumen, i cili u shkarkua nga Erdogani muajin e kaluar, bëri thirrje për një kthim të menjëhershëm të politikave financiare që mbrojnë vlerën e lirës.

"Ky eksperiment irracional që nuk ka asnjë shans për sukses duhet të braktiset menjëherë dhe ne duhet t'i kthehemi politikave cilësore që mbrojnë vlerën e lirës turke dhe prosperitetin e popullit turk," shkroi ai në Twitter.

Ekspertët e financave thonë se pandemia dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit ka ndikuar në ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës.

Bankat Qendrore të vendeve të mëdha janë duke ndjekur me kujdes normat e inflacionit për të marrë masa për ekonomitë e tyre vendase.