Paralajmërim i ministrit të Shëndetësisë: Gjermanët do të vaksinohen, do të shërohen ose do të vdesin deri në fund të dimrit
Shumica e gjermanëve do të "vaksinohen, shërohen ose vdesin" nga Covid-19 deri në fund të dimrit, paralajmëroi Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, sot, 22 nëntor, teksa u kërkoi qytetarëve të vaksinohen.
Ai fajëson variantin ngjitës Delta. “Kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë kaq urgjentisht vaksinimin,” shton ai.
Paralajmërimi i ashpër vjen ndërsa Gjermania po përpiqet të përballojë një rritje rekord të infeksioneve me koronavirus në javët e fundit, me spitalet që kanë dhënë alarmin për njësitë e tejmbushura të kujdesit intensiv.
Pavarësisht aksesit të gjerë në vaksinat falas të koronavirusit, vetëm 68 për qind e popullsisë gjermane është plotësisht e vaksinuar, një nivel që ekspertët thonë se është shumë i ulët për të mbajtur nën kontroll pandeminë.

Gjermania, vendi më i populluar i BE-së, konfirmoi 30,643 raste të reja në 24 orët e fundit sot, sipas agjencisë shëndetësore të Institutit Robert Koch, duke e çuar totalin e rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në më shumë se 5.3 milionë.
"Ne kemi një situatë shumë, shumë të vështirë në shumë spitale," tha Spahn.
Gjermania javën e kaluar njoftoi kufizime më të ashpra të koronavirusit për të frenuar valën e egër të katërt të Covid-19.

