NATO presion Gjermanisë, kriza në Bjellorusi dhe Ukrainë në agjendën Stoltenberg - Merkel

Ndërsa tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë në rritje, shefi i aleancës veri-atlantike takoi këtë të premte kancelaren në detyrë Merkel. Temat e diskutimit ishin për krizën në kufirin polak dhe atë ukrainas. NATO i kërkoi Gjermanisë gjithashtu që të jetë kontribuese në sigurinë e përbashkët bërthamore europiane.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s u takua këtë të premte me kancelaren në detyrë Angela Merkel për të diskutuar mbi dy tema të nxehta – kriza e emigrantëve në kufirin Bjellorusi – Poloni; dhe ngritja e një baze ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.

"Në afërsi të kufirit të Ukrainës shohim intensitetin më të madh të forcave ruse. I bëjmë thirrje Rusisë që të jetë transparente, të mos përshkallëzojë tensionet, të ndihmojë dhe t’i ulë tensionet përgjatë kufirit me Ukrainën", tha kreu i aleancës veri-atlantike.

Ai vuri në dukje se është urgjente që Rusia të tregojë transparencë për çështjen e lëvizjeve të së saj ushtarake në zonat e afërta me kufirin ukrainas.

"NATO po e ndjek nga afër situatën. Vazhdojmë të sigurojmë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën", shtoi Stoltenberg.

Kancelarja Merkel ndërkaq e vuri theksin te dialogu. Pavarësisht problemeve, dialogu me Rusinë nuk duhet të shkëputet, tha kancelarja në detyrë.

"Gjithmonë e kam mbështetur dialogun mes NATO-s dhe Rusisë. Edhe pse mes NATO-s dhe Rusisë ka dallime të mëdha, besoj se vazhdimi i bisedimeve mes nesh do të jetë gjithmonë më i mirë", theksoi kancelarja gjermane.

Një pikë tjetër e cila u diskutua ishte edhe përdorimi i aviacionit gjerman për bombat bërthamore amerikane. Gjermanët janë një aleat i çmuar ushtarak për amerikanët dhe NATO-n.

Rëndësia strategjike e Gjermanisë për SHBA-në reflektohet nga vendndodhja e selisë së Komandës Evropiane të SHBA-së në Shtutgart. Ajo shërben si strukturë koordinuese për të gjitha forcat ushtarake amerikane në 51 vende, kryesisht europiane.

"Unë pres që Gjermania të vazhdojë të jetë pjesë e ndarjes së fuqisë bërthamore sepse kjo është e rëndësishme për mbrojtjen europiane. Gjermania mund të vendosë nëse do që të ketë armë bërthamore në territorin e saj, ndaj alternativa jonë është që t’i zhvendosim ato në vende të tjera të Evropës ose në lindje të Gjermanisë”, tha Stoltenberg.

Parlamenti gjerman votoi për tërheqjen e bombave bërthamore amerikane nga vendi në vitin 2010. Megjithatë, 11 vjet më pas ato ndodhen ende në Gjermani - dhe është e paqartë se ku ruhen dhe sa arsenal ka.