Do të mbijetojë apo jo Qeveria e Zaevit? Votimi sonte në mesnatë

Nga ora 11, në Kuvendin maqedonas do të nisë debati dhe më tej do të hidhet në votë besimi për kryeministrin Zoran Zaev dhe kabinetin e tij. Mocioni i mosbesimit është kërkuar nga deputetët e pakicës që mendojnë se kanë 61 votat për ta rrëzuar qeverinë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet sot të konfirmojë ose ta rrëzojë qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Opozita është e bindur se do të ketë më shumë se 61 vota ose shumicën në seancën e planifikuar për orën 11.

Votëbesimi do të paraprihet nga një debat lidhur me mocionin e paraqitur nga VMRO-DPMNE-ja dhe aleatët, të cilët e akuzojnë qeverinë se i ka zhgënjyer qytetarët dhe e tregoi këtë me humbjen e LSDM-së në zgjedhjet lokale.

Kryeministri Zaev mblodhi të mërkurën partnerët e koalicionit me të cilët bashkëpunon prej korrikut të vitit 2020.

Raportohet se bisedimet u përqendruan edhe te çështja e kuorumit, dhe te mundësia që deputetët e shumicës të mos marrin pjesë në seancë.

Debati dhe votëbesimi si procese duhet të përmbyllen përpara mesnatës dhe nëse opozita siguron 61 vota apo 1 mbi gjysmën e parlamentit, atëherë kabineti i Zaevit është i detyruar të japë dorëheqjen brenda 24 orëve për t'ia lënë presidentit Stevo Pendarovski të mandatojë partinë që ka mbi 61 vota.

Nëse opozita do arrijë ta rrëzojë qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së, atëherë nuk do të mund të kërkojë votëbesim të ri në 90 ditët e ardhshme, përveçse nëse ka shumicën absolute.