Zaev shtyn dorëheqjen deri në stabilizimin e vendit
Ndërsa opozita maqedonase pret që kryeministri Zoran Zaev të dorëzojë pushtetin, LSDM-ja e Zaevit ka vendosur të mos e pranojë dorëheqjen e kryetarit dhe t'ia lërë parlamentit në dorë zgjedhjen për largimin apo jo përmes votëbesimit të planifikuar këtë javë.
Zoran Zaev ka hequr dorë nga largimi prej kryeministrisë për t'u marrë me sfidat e mëdha politike që po kalon Maqedonia e Veriut.
Organet e larta të Partisë Socialdemokrate vendosën të mos e marrin parasysh dorëheqjen e kryetarit dhe kryeqeveritarit, që ai e lajmëroi që më 31 tetor pas humbjes së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale.
"Shteti ndërtohet mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve," tha Kostandinov.
Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë së LSDM-së, nuk e komentoi nismën e opozitës për votëbesimin e qeverisë.
Kuvendi pritet ta mbajë të enjten mocionin e mosbesimit por agjencia "Radio Evropa e Lirë" raporton se kërkesa mund të shtyhet të shtunën.
Mocioni është kërkuar nga partia maqedonase, VMRO-DPMNE, fituesja e zgjedhjeve lokale, por është e paqartë nëse qeveria mund të rrëzohet me 60 votat që janë konfirmuar kundër.
Për rrëzimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 nga 120 votat e parlamentit, por i 61-ti, deputeti Skëndër Rexhepi nga Partia Alternativa, u tërhoq nga nisma për shkak të partisë "E Majta", një grupim që shqiptarët dhe LSDM-ja e akuzojnë për qëndrime antiperëndimore dhe antishqiptare.
