Një vit nga aktakuza e Speciales, Hoxhaj: Krerët e UÇK-së nuk janë thyer në luftë, s'do thyhen as në Hagë!
Ish-kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka kujtuar momentin e marrjes së lajmit për ngritjen e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ish- kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Një vit pas, Hoxhaj thotë se ishte tronditës momenti kur ka marrë lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shkruan arbresh.info.
Ai thotë se shumë pak persona në PDK e dinin këtë lajm dhe e mbajtën ne mirëbesim
“Në ditën e sotme, një vit më parë, mora lajmin më të pabesueshëm në jetën time. Ngritja e aktakuzës ndaj ish-Presidentit Thaçi dhe ish-kryetarit Veseli me bashkëluftëtarë ishte tronditëse! Edhe sot, ende, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë. Besoj në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë, të cilës i prinë! Krerët e
UÇK-së nuk janë thyer në luftë e nuk do të thyhen as në Hagë”, shkruan Hoxhaj.
Në çdo betejë, Hoxhaj thotë se ata kanë dalë fitimtarë dhe faqebardhë.
“Atë natë, shumë pak persona në PDK e morëm vesh lajmin, e mbajtëm në mirëbesim, deri në momentin kur dy miqtë e mi, Hashimi e Kadriu, e vendosën se duhet të njoftohen edhe qytetarët e Republikës, për të cilën vazhdojnë të mos e kursejnë veten! E kujtoj atë si natën më të vështirë ndonjëherë”, shkruan Hoxhaj.
Hashim Thaçi dhe dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.
Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë “krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.