Dorëheqja e Zaev, Nuhiu: Partnerët e konsideruan hap të panevojshëm
Zoran Zaev të dielën, 31 tetor dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë, Lidhjes Social-Demokrate, të cilën e drejton që nga 2013-a. Në datën 3 dhe 4 nëntor ishte parashikuar një takim në Beograd.
Zv. Ministri i drejtësisë Agim Nuhiu në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se përfaqësues nga shteti i Maqedonisë së Veriut do të jenë prezentë në këto takime.
Agim Nuhiu: Çështja e orientimit të shtetit për interesa gjeostrategjike, çështje të cilat kanë të bëjnë me lehtësime për lëvizjen e njerëzve, qarkullimin e mallrave, dhënien e shërbimeve, funksionimin e shtetit të së drejtës, tejkalimin e ngërçit për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe shumë çështje të tjera të cilat lidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës ngelin prioritet i kësaj qeverie dhe të gjithë partnerët e koalicionit janë dakorduar që çështjet që kanë të bëjnë me shtetin dhe shoqërinë të jenë në supet e Zaev dhe kësaj qeverie.
I pyetur nëse nuk do të pranohet dorëheqja e Zaev, Nuhiu u shpreh se partnerët e koalicionit e kanë konsideruar si hap të panevojshëm për arsye se nuk duhet të vihet në pikëpyetje kredibiliteti apo legjitimiteti i kësaj qeverie për shkak të një rezultati jo të favorshëm të partisë më të madhe në zgjedhjet vendore.
