Shtrenjtimi i produkteve, Oda Ekonomike e Kosovës mbështet rritjen e pagës minimale për ta zbutur situatën

Qytetarët e Kosovës, si në shumë vende, po përballen me produkte më të shtrenjta të konsumit.

Çmimet janë rritur deri në 30 për qind për vajrat dhe yndyrnat ushqimore, ndërkaq me 20 për qind janë shtrenjtuar frutat e perimet, dhe më pak, buka.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar disa masa për ta zbutur situatën, por nga Oda Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi thotë se problemi mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrje të thella.

“Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se sa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa, janë kategoritë sociale për të cilat duhet ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit të cilëve iu ka rritur kostoja e prodhimit. Kështu qeveria duhet shikojë mundësinë që të ketë për shembull intervenime tek akciza për naftën, për vajrat, për gazin.”

Konsumatorët në Kosovë mund të përfitonin nga norma e reduktuar e TVSH-së, megjithatë Rukiqi sugjeron që qeveria të mendojnë edhe për rrogat.

“Konstatimi im në këtë rast dhe qëndrimi ynë si Odë ekonomike ka qenë që ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagës minimale nëse respektohen kriteret e caktuara. Por, në praktikë ka shumë zhvillime në treg, në të njëjtën kohë edhe shumë diskrepancë mes propozimeve që vijnë prej sindikatës, prej Qeverisë, prej parlamentit, prej asaj se a ka mundësi buxheti ta përballoj rritjen e pagës minimale… Tek e fundit kryeministri e ka propozuar, ka nevojë të mblidhet Këshilli Ekonomik Social, t’ia propozon qeverisë për vendim, dhe të miratohet.”

Kryeministri Kurti u shpreh ditë më parë se ekonomia e vendit, si asnjëherë, këtë vit përjetoi një rritje me rreth 10%, por Rukiqi nuk pret që norma ta kalojë nivelin 7 për qind me zhvillimet e fundit.

“Në bazë të trendit të të hyrave nuk do të jetë më e vogël se 7 përqind... Ne zakonisht kemi pasur diskrepancë mes projeksioneve të ndryshme të qeverisë, të Agjencisë së Statistikave, BQK, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra, janë disa mekanizma që bëjnë projeksione... Ne si Odë ekonomike ndjekim trendët, trendi këtë vit ka qenë pozitiv. Konfidenca e bizneseve është më e mirë se sa e vitit 2020 e në disa raste edhe më 2019 sa i përket bizneseve eksportuese dhe të shërbimeve.”

Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë janë pasojë e pandemisë së Covid-19 në ekonominë globale, e cila ka sjellë me vete edhe krizë energjetike.

Oda Ekonomike e Kosovës pret nga qeveria të parashikojë buxhetin për t'u përballur me këtë sfidë.

“Në Evropë tani ka një fokus tek rimëkëmbja e gjelbër, që nuk ka efekt vetëm në uljen e kostove të energjisë elektrike. Kjo ka krijuar efekt edhe në sektor të tjerë, sikur në sektorin e ndërtimit, në sektorin e pajisjeve, mirëmbajtjes e kështu me radhë. Për këtë mendoj se qeveria duhet me ndarë buxhet të veçantë, dhe të ndodhë me buxhetin e planifikuar për 2022, dhe jo më tej. Normalisht se duhet të përkrahen edhe bizneset për prodhim të energjisë nga burimet e veta. Këto janë masa që e lehtësojnë sa do pak barrën e konsumatorit dhe njëkohësisht lehtësojnë edhe koston e biznesit.”