Amerikanët në një mendje me gjermanët për “Open Balkan”: Mbështesim çdo nismë që bashkon 6 vendet e rajonit
“Ballkani i Hapur” ka qenë temë diskutimi edhe në Kongresin amerikan këtë të enjte. Berlini dhe Washingtoni janë në të njëjtën valë kur flasin për treg rajonal dhe “Ballkan të Hapur” si degë e Procesit të Berlinit. I dërguari amerikan Escobar ka kërkuar gjithashtu çeljen e negociatave me BE-në për Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Debati për “Ballkanin e hapur” është çelur këtë të enjte në Kongresin amerikan.
Kongresmenia republikane Claudia Tenney pyeti të dërguarin amerikan për rajonin Gabriel Escobar për më shumë informacion mbi nismën Ballkani i Hapur.
“SHBA përkrah iniciativat ekonomike që afrojnë shtetet” – tha Gabriel Escobar. Ai ka qenë në të njëjtën linjë politike me kancelaren Merkel kur vizitoi Tiranën, apo me kryetaren e Komisionit Europian Von der Leyen.
“Ne mendojmë se bashkëpunimi më i afërt ekonomik, jo vetëm se ka nisur të ndodhë, por edhe do të ndodhë. Liderët e tri shteteve që kanë krijuar iniciativën Ballkani i Hapur, na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor” – tha i dërguari i posaçëm amerikan Escobar.
Kosova, Mali i zi dhe Bosnje Hercegovina nuk janë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur, teksa shumë analistë të këtyre vendeve e cilësojnë këtë nismë si një zgjerim të hegjemonisë serbe në rajon.
Por për amerikanët dhe europianët është i rëndësishëm tregu i përbashkët rajonal dhe zgjerimi i investimeve euro-amerikane në rajon, teksa zyrtarët e lartë amerikanë dhe europianë flasin për rritje të influencës ruse dhe kineze në rajon.
“Ne duam të inkurajojmë këtë gjë, duam të inkurajojmë investimet amerikane në këtë rajon”, teksa e lidhi “Ballkanin e hapur” me Procesin e Berlinit, duke theksuar si pikë të rëndësishme të përbashkët Tregun Rajonal.
“Ne besojmë se gjithçka që afron shtetet me njëra-tjetrën, do të krijojë besim mes njerëzve, do të krijojë mundësi për lëvizje politike në disa çështje”, ka thënë ai përpara përfaqësuesve të nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Europën, Energjinë dhe Mjedisin.
Iniciativa Ballkani i Hapur, i njohur më parë si Mini-Shengeni Ballkanik është krijuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe atë të lëvizjes në rajon.
Zyrtari i lartë amerikan për rajonin ka sjellë në vëmendje gjithashtu se mesazhi më i fuqishëm që mund të japë BE-ja tani është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përpara fundit të këtij viti.

