Trekëndëshi i Bermudës? Kryemadhi ironizon Bashën: Asgjë e re nga fronti i Lindjes, tango teatrale me mazhorancën
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nuk ka preferuar të komentojë sulmin e Lulzim Bashës ndaj treshes Rama-Berisha-Meta, të cilët i ka quajtur trekëndësh të Bermudës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo tha shkurt.
"Asgjë e re nga fronti i lindjes".
Zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike nuk preferon ti komentojë.
"Nuk dua të komentoj asgjë që ka të bëjë me punët e brendshme të PD. LSI është një parti e qendrës së majtë që ka identitetin e saj. Me PD na ka lidhur bashkimi me kauzat për të mirën e qytetarëve si Teatri Kombëtar apo taksa për Rrugën e Kombit. Angazhimi i LSI ka qenë luajal dhe i qëndrueshëm".
Idirekt ajo pranoi krisjen e bashkëpunimit me aleatin opozitar.
"Ajo që dua të theksoj është që nuk kanë absolutisht fare rëndësi marrëdhëniet e LSI-së me Partinë Demokratike sot, duke patur parasysh që mjafton të shikosh çfarë po ndodh në Parlamentin e sotëm, ku tangoja teatrale e të ashtuquajturës opozitë me mazhorancën, nuk po sjell asnjë tjetër veçse po rrit borxhin e jashtëm të Shqipërisë dhe po e kalon në shifra ekstreme dhe drejt një falimentimi të shtetit, për të vazhduar më tutje me marrëveshje të cilave u mungon transparenca politike dhe parlamentare, gjë që s’ka të bëjë vetëm me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, por me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të vajtur me tej, që sot jeta e shoqërisë shqiptare e aq më shumë politika shqiptare, nuk artikulon absolutisht për gjëra që kanë lidhje shumë të rëndësishme me ekzistencën e popullit shqiptar, dhe aq më shumë të të rinjve shqiptarë, duke patur parasysh që vetëm në periudhat e fundit shpopullimi i familjeve të reja shqiptare është i jashtëzakonshëm, gjë që është e dhimbshme sepse nëse kombit do t’i largohet gjithë rinia, ai është i destinuar të vdes".
Kryemadhi tha se LSI mbetet në misionin e saj për të vazhduar opozitën, në identitetin e saj,
"Çdo institucion ku politika përballet me qytetarët e saj është inekzistent dhe kjo vjen si rezultat i tjetërsimit të rezultatit në 25 prill. Roli i LSI që mbante një lloj balanci në dy ekstremet..Kemi një kryeministër që ka 8 vjet në pushtet dhe flet për mungesë të ujit të pijshëm, borxhi shqiptar vetëm për ujin e pijshëm është rritur në 1.2 miliard.LSI e sheh veten në misionin e saj për të vazhduar opozitën, në identitetin e saj. Javën që kaloi dorëzova në prokurori padinë e tretë për inceneratorët, atë të Fierit".
