LSI shkon në zgjedhje, Kryemadhi: Në dhjetor thirrim Konventën. Rikthimi i Metës? Se kam diskutuar, por...
Lëvizja Socialiste për Integrim do të thërrasë Konventën Kombëtare në dhjetor. Lajmin e bëri me dije kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi në një intervistë për VOA.
"Rreth muajit dhjetor do të shkojmë drejt mbledhjes së Konventës Kombëtare për zgjedhjen e strukturave të reja dhe përcaktimin e një strategjie".
Zgjedhjet e 25 prillit ishin dramatike për LSI, duke sjellë një rrudhje të madhe nga 19 deputetë që kishte në 4.
Kryemadhi ka qëndruar e heshtur pas zgjedhje por sot procesin e analizon kështu.
"Nuk ka rrudhje të rezultatit, kanë 110 mijë vota. Ka tjetërsim të sistemit zgjedhor. Ka një fyerje që është bërë nga kryeministri dhe PS me SHBA dhe BE pasi gjithë opozita në bashkëpunim me ambasadën amerikane, delegacionin e BE, dhe ambasadën e Britanisë së Madhe nënshkruan një marrëveshje për të shkruar drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm me 5 qershor. Është i vetmi vend që ka 5% të votave të pavlefshme. Po të rishikohen rezultati do të jetë ndryshe".
Presidenti, Ilir Meta, ka deklaruar rikthimin në LSI pas përfundimit të mandatit si kryetar i Shtetit.
Kryemadhi thotë se nuk ka diskutuar me të për këtë çështje por thotë se LSI mirëpret këdo që do të rikthehet.
"Nuk e kam diskutuar por LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë".
