“Politika në krizë”, Islami: S’mund të bëhet një marrëveshje pozitë-opozitë, mazhoranca insekt, PD e thyer

Ish-deputeti Kastriot Islami, ka komentuar situatën politike në vend dhe mundësinë mes një marrëveshjes mes opozitës dhe mazhorancës.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Islami shprehet se politika në vendin tonë është në krizë, ndërsa shton se për të dalë nga kjo situatë duhet që të ketë një marrëveshje mes dy palëve.

Ai thotë se për të arritur tek një gjë e tillë fillimisht duhet të kryhen disa veprime nga të gjitha palët.

Kastriot Islami: Ka mbi 8 vjet që situate është përkeqësuar dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 30 vite që gjendja të jetë më e keqe në vend. Të gjithë elementët e një krize janë prezente. Jemi në një situatë që nuk e di se si mund të dilet nëse nuk do kryhen veprime nga të gjitha palët për të arritur në një marrëveshje të madhe mazhorancë-opozitë. Por para se të arrihet këtu, duhen plotësuar disa parakushte. Duhen realizuar disa rrethana që mungojnë për të arritur te një marrëveshje e tillë.

Islami theksoi se një marrëveshje mes dy palëve, pozitë-opozitë do të vendoste vendin në ‘shinat e normalitetit’, ndërsa shton se Shqipëria është në një situatë të rrezikshme.

Kastriot Islami: Një marrëveshje e tillë me dy shtylla politike, do të mundet ta vendoste vendin në shinat e normalitetit. Është prekur rëndë shtylla e demokracisë dhe pluralizmit. Shqipëria është në një situatë tejet të rrezikshme, i rrezikohet edhe identiteti i saj.

Më tej tha se marrëveshja mes dy palëve nuk mund të bëhet, ndërsa ka treguar dhe arsyet. Ai thotë se mazhoranca drejtohet nga një ‘insekt’ duke lënë të nënkuptohet se fjala është për Ramën dhe nga ana tjetër për Islamin PD është e thyer.

Kastriot Islami: Marrëveshja opozitë- mazhorancë në parim duhej bërë, por në rrethana aktuale nuk bëhet. Ka dy arsye, mazhoranca është insekt, pra nuk është më parti, është insekt i drejtuar nga një individ. Në mazhorancë kemi një individë dhe një seri kukullash. Edi Rama ka treguar se është armik i marrëveshjeve. Ai nuk synon të bëjë marrëveshje por synon paratë e pista për të blerë nga ana tjetër. Nga ana tjetër brenda PD ka debat të brendshëm, pra është e ‘thyer’. Janë disa veprime brenda PD për të vendosur në legjimitet të plotë lokomotivën e opozitës, dhe pastaj mund të flitej për këto parakushte., mund të uleshin për të bërë një marrëveshje.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.