Makina e drogës, bibliotekë në Dukagjin. Fermerët që nuk mbjellin kanabis apelojnë për rrugën dhe braktisjen
Shkodra hapi panairin e vjeshtës, mes debateve të fermerëve dhe autoriteteve për braktisjen e fshatrave në Alpe. E veçantë ishte biblikoteka lëvizëse e ndërtuar mbi një makinë që përdorej për drogë dikur. Artizanët kërkojnë futjen e xhubletës në UNESCO për ta shpëtuar nga zhdukja.
Ky automjet që vite me parë përdorej nga trafikanët për transport të drogës është kthyer në librari të lëvizshme.

Makina do të vendoset në Dukagjin në shërbim të leximit dhe dijes në zonën që vitet e fundit njihet më së shumti për kultivimin e lëndëve narkotike.
"Nëse jep një mesazh për popullin, shoqërinë dhe anën sociale i ka realizuar vlerat."
Fermerët e zonës malore që nuk kultivojnë kanabis e nuk merren shumë me lexime, kanë të tjera halle.
Në panairin vjeshtës në Shkodër ngritën alarmin për vëmendjen e munguar nga shteti që në 30 vite ose i ka çuar drejt paligjshmërise, ose drejt braktisjes së malësisë.
"Rruga, transporti."
"Më mirë me marrë një mushkë, je më i garantuar."
"Kanë ikur njerëzit, kanë mbetur shumë pak atje."
Problemin e rrugës e pranon edhe kryebashkiakja, Voltana Ademi, e cila premtoi se për të ndryshuar gjendjen vitin e ardhshëm do të akordohen 15 milion lekë të reja.
"Ka një zhvendosje të njerëzve në Shkodër për shkak se gjatë viteve nuk ka pasur shërbime atje."
Artizanët ndërkohë ngritën alarmin për vëmendjen e munguar ndaj pasurisë së përbashkët të trashëgimisë kulturore.
File Kola, që ruan një xhubletë mbi 200 vjeçare, shpreson që kjo pasuri e kombit të regjistrohet nga UNESCO për të mos u zhdukur.
"Ta ruajmë xhubletën si sytë e ballit."
Ndërsa ky emigrant, që prej 26 vitesh jeton në Bruksel, ka vendosur ta kalojë vjeshtën në vendlindje për herë të parë pas 2 dekadash.
Vjen me çifteli, e bën thirrje për të ruajtur traditën.
"Neglizhencat për mua janë të pafalshme dhe të pakuptueshme."













