Kroatët do të udhëtojnë në ShBA pa viza
Prej të shtunës, 23 tetor, qytetarët kroatë do mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa viza, njoftoi Ambasada amerikane në Zagreb.
Në një postim në facebook, ajo shkruajti: “Erdhi edhe kjo ditë. Urime Kroaci për anëtarësimin zyrtar në Programin e Heqjes së Vizave".
Vendimi për Sistemin Elektronik për Autorizim e Udhëtimeve (ESTA) vlen për qytetarët kroatë që duan ta vizitojnë SHBA-në për turizëm ose biznes dhe mund të qëndrojnë atje jo më shumë se 90 ditë.
Anëtarësimi i Kroacisë në të ashtuquajturin Program për Heqjen e Vizave (VËP) është një hap i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe në fushën e sigurisë midis dy shteteve, tha Ambasada amerikane në Zagreb.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që qytetarët kroatë tani e gëzojnë mundësinë e udhëtimit në SHBA pa viza. Ky ka qenë një proces i gjatë, por i rëndësishëm dhe ne mirëpresim përpjekjet e Qeverisë kroate për të përmbushur kriteret e ashpra të programit tonë”, tha Mark Fleming, i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Zagreb.
Programi për Heqjen e vizave është një partneritet gjithëpërfshirës i sigurisë midis SHBA-së dhe shteteve pjesëmarrëse, që lejon udhëtimin në SHBA për qëllime turizmi apo biznesi deri në 90 ditë, duke mbrojtur sigurinë kombëtare amerikane.
Që një shtet të bëhet pjesë e këtij programi duhet të përmbushë kritere në fushën e kundërterrorizmit, atë të zbatimit të ligjit, të migracionit, sigurisë së dokumenteve dhe menaxhimit të kufijve, thuhet në deklaratë.
Ambasada tha gjithashtu se kusht për t’u bërë pjesë e këtij programi është që aplikimet e refuzuara për viza duhet të jetë nën 3 për qind, kriter të cilin Kroacia e ka përmbushur së fundmi.
Autorizimet për udhëtime që qytetarët marrin nga ESTA janë të vlefshme për dy vjet. Udhëtarët me vizat e lëshuara B1/B2 tashmë mund t’i përdorin ato për të udhëtuar në SHBA.
Janë vetëm tri anëtare të Bashkimit Evropian, Rumania, Bullgaria dhe Qiproja, që SHBA-ja nuk ua ka hequr ende vizat.

